Jam Richard Stallman-i.

25 vjetë më parë [më 1983] themelova lëvizjen për Software të Lirë.
Software i Lirë është software-i që respekton lirinë e përdoruesve
dhe solidaritetin shoqëror në bashkësinë e tyre. Programe jo të lira
janë software pronësorë. Kjo do të thotë që u heqin lirinë përdoruesve,
i mbajnë ata të përçarë dhe pa mbështetje. 

Të përçarë sepse u ndalohet të ndajnë me të tjerët programin dhe pa
mbështetje ngaqë përdoruesi nuk e kanë kodin burim të programit. Që
do të thotë, nuk mund ta ndryshojnë dot, madje as mund të shohin se
çfarë bën vërtet programi, dhe mund të bëjë gjëra shumë të liga.

Software-i i Lirë nënkupton që përdoruesi ka 4 liri thelbësore: 

Liria 0 është liria për ta xhiruar programin për çfarëdo qëllimi.

Liria 1 është liria për studimin e kodit burim të programit dhe
ndryshimit të tij për ta bërë të bëjë çka doni ju.

Liria 2 është lira për të ndihmuar fqinjin tuaj; domethënë, liria për
të bërë dhe shpërndarë kopje të përpikta të programit kurdo që doni.

Dhe liria 3 është liria për të kontribuar te bashkësia juaj; që
do të thotë, liria për të bërë dhe shpërndarë kopje të versioneve tuaja
të modifikuara të programit.

Me këto katër liri një program është Software i Lirë, ngaqë sistemi
shoqëror i përdorimit dhe shpërndarjes së tij është një sistem etik
që respekton lirinë e gjithkujt dhe lirinë e bashkësisë së përdoruesve.

Software-i duhet të jetë i Lirë sepse lirinë e meritojmë të gjithë,
të tërë e meritojmë të na lejohet të marrim pjesë në një bashkësi të lirë. 

Prandaj, në shkolla do të duhej të mësohej vetëm Software i Lirë.
Ka katër arsye pse duhet bërë kështu.

Arsyeja më e cekët është për të kursyer para. Shkollat nuk kanë para
të mjaftueshme, ndaj nuk do të duhej t'i shpërdoronin paratë e tyre
duke paguar për licencë përdorimi software-esh pronësorë. Kjo është një
arsye e qartë, por disa kompani software-i pronësor zakonisht e asgjësojnë
këtë arsye të cekët duke dhuruar kopje të programeve të tyre pronësore
për shkolla, pa pagesë ose me çmime të ulëta.

Arsyeja pse e bëjnë këtë është që nxënësit të krijojnë varësi. Është plan
dashakeq. Është plan për t'i përdorur shkollat si mjete për të imponuar
një varësi të përhershme te nxënësit.

Nëse në një shkollë mësohet si të përdoret një program pronësor, nxënësi
do të jetë i varur nga ai program, dhe pasi diplomohet do t'i duhet
të paguajë që të përdorë atë program. Ka gjasa që do të punojë për një
kompani që nuk merr kopje falas të programit.

Prandaj, zhvilluesit e programeve pronësore përdorin shkollat që
të imponojnë varësinë e përhershme të krejt shoqërisë. Shkollat duhet
të refuzojnë të marrin pjesë në një plan të tillë dashakeq ngaqë shkollat
kanë një mision shoqëror, arsimimin e brezit të ardhshëm për të qenë
qytetarë të mirë të një shoqërie të aftë, të fortë, të pavarur, bashkëpunuese
dhe të lirë. Kjo mund të arrihet vetëm duke u mësuar Software-in e Lirë.
Shkollat duhet të eliminojnë, të fshijnë software-et pronësore dhe
të instalojnë Software të Lirë. 

Por ka një arsye më të thellë: formimi i programuesve të zotë, sepse që
të mund të mësohen aftësi të mira programimi nxënësit kanë nevojë të lexojnë
shumë kod dhe të shkruajnë shumë kod. Që të mësojnë të shkruajnë kod të zot
për programe të mëdha nxënësit kanë nevojë të shkruajnë ndryshime të vogla
në kodin e programeve të mëdha. Krejt kjo është e mundshme vetëm me
Software-in e Lirë. Vetëm Software-i i Lirë lejon edukim me teknologjinë
e informacionit.

Por ka një arsye edhe më të thellë: edukimi me qytetari të mirë, pasi shkollat
kanë mision të japin mësim jo vetëm fakte dhe aftësi teknike, por mbi gjithçka
frymën e vullnetit të mirë, zakonin e të ndihmuarit të të tjerëve. Prandaj,
çdo klasë do të duhej të kishte këtë rregull: "nxënës, po prutë një program
në klasë, s'mund ta mbani për vete, duhet ta ndani me krejt klasën."

Shkolla duhet të praktikojë atë çka predikon, do të duhej të paraqiste
në klasa vetëm Software të lirë.

Krejt shkollat do të duhej të kalonin në Software-in e Lirë dhe të japin mësim
vetëm Software të Lirë, sepse çdo shkollë do të duhej të merrte pjesë në shpënien
e shoqërisë drejt lirisë dhe solidaritetit shoqëror.

Faleminderit.